VIDEO- Studentët e ekselencës: “Air Albania”, e ardhmja e aviacionit shqiptar

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2356055377754377/?t=2

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Ngritja në qiej e “Lasgushit”, avionit të parë shqiptar nën logon “Air Albania”, nuk kishte se si mos të “festohej” edhe nga studentët që morën pjesë në këtë udhëtim inaugurues.

Për shumë nga ata, ndoshta fluturimi nuk është një risi, por ama të fluturosh shqip dhe nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare, padyshim është diçka që nuk e kishin përjetuar ndonjëherë.

I tillë ka qenë fluturimi drejt Stambollit i nxënësve të ekselencës, të cilët kanë “fluturuar” edhe me muzikën shqiptare tradicionale, si Vallja e Kosovës, valle të Shqipërisë së Mesme dhe atyre të Jugut, duke e bërë edhe më të veçantë e më të këndshëm këtë udhëtim.

Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama e ka përcjellë atmosferën e këndshme, brenda avionit të parë shqiptar me një video të postuar në profilin e tij në Facebook.

“Sot, qiejtë tanë jo vetëm flasin shqip, por edhe “kërcejnë” krenar me traditën dhe kulturën tonë kombëtare”, thotë ai.

Maturantët dhe studentët e ekselencës, të cilët kryen udhëtimin e parë inaugurues të “Air Albania” drejt Stambollit, thonë se patën një eksperiencë mbresëlënëse. Ata shprehen optimistë se “Air Albania” është e ardhmja e aviacionit shqiptar.

Mbi 70 maturantë dhe studentë të ekselencës udhëtuan të shtunën drejt Stambollit, duke qenë ata të parët që inauguruan linjën shqiptare “Air Albania”.

Të rinjtë pas një udhëtim komod kanë mbërritur në aeroportin e Stambollit ku janë pritur nga përfaqësues të kompanisë “Turkish Airline”. Guidat profesionale shoqëruan të rinjtë shqiptarë drejt zonës së vjetër të këtij qyteti, duke i njohur me historikun e tij dhe vlerat që mbart në shekuj. Pamjet e vizitës së tyre në një qytet të mrekullueshëm si Stambolli, flasin vetë.

Një vizitë turistike me anije në ngushticën e Bosforit ishte një nga destinacionet, i cili ngjalli më shumë interes ndër të rinjtë, të cilët jo vetëm shijuan pamjen e mrekullueshme mbi detin Marmara, por panë nga afër edhe urat e famshme që lidhin dy kontinentet, atë të Europës me Azinë.

Lundrimi për disa orë mbi detin Marmara përmbylli kështu edhe vizitën njëditore të të rinjve shqiptarë me linjën e parë ajrore shqiptare “Air Albania”. Pasi avioni me flamurin kombëtar preku sërish tokën shqiptare në mbrëmje, maturantët dhe studentët e ekselencës folën edhe për përshtypjet e para duke e cilësuar këtë udhëtim një eksperiencë të jashtëzakonshme, pasi u ndjenë të vlerësuar që ishin ata pasagjerët e parë me një markë shqiptare në fushën e aviacionit shqiptar.

Udhëtimi kuqezi për të rinjtë ishte një vlerësim ndaj dhe uruan jetëgjatësi për “Air Albania” përreth globit dhe vlerësuan që shqiptarët do të udhëtojnë në vijim nën logon kuq e zi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.