Thaçi: Po bëjmë përpjekje për marrëveshje paqësore me Serbinë

PRISHTINE, 18 shtator /ATSH/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion me deputetë të Parlamentit të Austrisë, të kryesuar nga Stefan Schnöll.

Thaçi dhe deputetët austriakë kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Austrisë, për liberalizimin e vizave, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për procesin e integrimeve të Kosovës dhe rajonit në Bashkimin Europian.

“Ne po bëjmë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me palën serbe në Bruksel. Është shumë vështirë të gjejmë kompromis, por nuk është e pamundshme. Ky kompromis duhet të arrihet për hir të paqes, stabilitetit dhe së ardhmes së përbashkët euroatlantike të qytetarëve dhe vendeve tona”, – tha Thaçi.

Në anën tjetër, edhe deputetët e Parlamentit austriak theksuan se vetëm përmes dialogut dhe vizionit europian mund të forcohet paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi i falënderoi deputetët austriakë për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, duke shtuar se falë përkrahjes së shteteve mike të Kosovës, qytetarët tanë së shpejti do të lëvizin pa viza, të lirë në zonën Shengen, ku do të ndjehen të barabartë me të gjithë brenda familjes së madhe europiane. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.