ISHSH, 1223 inspektime në të gjithë vendin

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ – Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 1223 inspektime që nga muaji qershor e korrik në të gjithë vendin.

Ndaj, ky institucion ka monitoruar plotësimin ose jo të kushteve fizike dhe higjieno-sanitare në shkolla, kopshte, çerdhe, konvikte, universitete etj.

Por, cilat janë problematikat që janë konstatuar gjatë inspektimit?

Mungesa e dokumentacionit higjieno sanitar, probleme me mungesën e kushteve optimale të mësimdhënies dhe mësimmarrjes në shkolla dhe kopshte (mungesë e lyerjes, prania e lagështirës, amortizimi i bazës materiale), probleme me furnizimin me ujë të godinave në të cilat zhvillohen aktivitetet mësimore, gjendja e e anekseve higjieno-sanitare dhe pajisjet e tyre jo funksionale, probleme me përshtatjen e nyjeve hidro-sanitare për përdorim nga fëmijët e kopshteve, kryesisht në kopshtet që ndodhen brenda godinave të shkollave, përbënin disa prej problematikave të identifikuar.

Sipas të dhënave zyrtare, në 726 subjekte në të gjithë vendin u lanë detyra për pajisjen me dokumentacionin higjieno-sanitar dhe rregullimin e kushteve higjieno-sanitare sipas problematikave.

Ndërkaq, për të gjitha mangësitë nga ana e ISHSH janë lënë afate për plotësimin e tyre. Raporti i zgjeruar për të gjitha shkollat e inspektuara i është dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin. Në bazë të Planit Vjetor të inspektimeve në muajt gusht dhe shtator kryhen riinspektime në subjektet ku janë lënë detyra si dhe në subjektet e tjera që nuk janë inspektuar. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.