Haradinaj: Arritja e marrëveshjes nëpërmjet korrigjimit të kufijve, kthim nga tragjeditë

PRISHTINË, 18 shtator /ATSH/ – Kryeministri Ramush Haradinaj ripërsëriti qëndrimin e tij se arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi përmes korrigjimit të kufirit është kthim nga tragjeditë.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj shprehu bindjen e tij të plotë se deklaratat e Presidentit Hashim Thaçi për këtë çështje nuk kanë qenë në adresë të tij.

“Nuk besoj se më është referuar mua. Asnjëherë nuk besoj se më referohet mua në këtë temë, sepse detyra jonë është që të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin e vendit. Unë jam thellë i bindur se lëvizja e marrëveshjes me Serbinë përmes korrigjimit të kufijve është kthim prapa, kthim kah tragjeditë”, – tha Haradinaj.

Sipas tij edhe për projektligjin për FAK-un, ku shprehu bindjen e tij se ky i fundit do të votohet në Kuvendin e Kosovës.

“Projektligjet që janë tri që lidhen me Ushtrinë e Kosovës, të treja e kanë deklaratën financiare. Ministria e Financave është treguar fleksibël. Plani është 10-vjeçar dhe parasheh dyfishim të buxhetit. Në momentin kur ligji është në Qeveri, kam marrë konfirmimet se do të votohet”, – tha Haradinaj. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.