Hapja e negociatave, Soreca: Moment vendimtar për Shqipërinë

TIRANE, 18 shtator /ATSH/ – “Këshilli i Bashkimit Europian ka përcaktuar një rrugë të qartë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2019. Unë do të punoj ngushtësisht me autoritetet shqiptare dhe në koordinim me shtetet anëtare të BE-së, për të siguruar që reformat e nevojshme jo vetëm të konsolidohen, por edhe të thellohen”. Kështu deklaron Shefi i ri i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadori Luigi Soreca, i cili i paraqiti sot letrat e tij kredenciale Presidentit, Ilir Meta.

Ambasadori Soreca do të përfaqësojë Bashkimin Europian në Shqipëri dhe do të shërbejë si Shef i Delegacionit të BE-së në Tiranë për katër vitet e ardhshme.

Luigi Soreca tha se “është një nder të përfaqësoj Bashkimin Europian në një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt pranimit në BE”.

“Është një privilegj personal të kthehem në Shqipëri pasi kam udhëhequr ekipin e BE-së që negocioi dhe zbatoi regjimin e tij pa viza me Bashkimin Europian. Pres me padurim lajme të mira të ngjashme gjatë katër viteve të ardhshme, me rezultate që do ta përmirësojnë më tej jetën e përditshme të shqiptarëve”, – tha Ambasadori Soreca pas ceremonisë në Presidencë.

Puna e Ambasadorit do të fokusohet kryesisht në reformat që lidhen me pesë prioritetet kyçe (reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë), në trajtimin e rekomandimeve të pazgjidhura të ODIHR-it në lidhje me sistemin zgjedhor shqiptar, si dhe në reduktimin efektiv të numrit të aplikimeve të pabazuara për azil në Shtetet Anëtare.

Kush është Ambasadori i ri i BE-së:

Ambasadori Soreca është një shtetas italian me eksperiencë të gjerë në çështjet e shtetit ligjor, zbatimit të ligjit, sigurisë dhe migracionit në nivel europian dhe ndërkombëtar.

Para marrjes së detyrës si Shef i Delegacionit të BE-së në Tiranë, ai ka shërbyer si Drejtor i Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme të Komisionit Europian. Ndërmjet viteve 2006 dhe 2011, Ambasadori Soreca ka drejtuar Dialogët për Liberalizimin e Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Kombësia: italiane

Datëlindja: 11 mars 1965

Arsimi: Diplomuar për Drejtësi në Universitetin L.U.I.S.S., Romë, Itali

Gjuhët: italisht (gjuha amtare), anglisht, frëngjisht (shkëlqyeshëm) 

Që nga shtatori 2018, Luigi Soreca është Ambasador i BE-së, Shef i Delegacionit Europian në Shqipëri.

Para këtij emërimi, zoti Soreca ka qenë Drejtor për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme të Komisionit Europian, ku ka mbikëqyrur përcaktimin e politikave të BE-së në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizimit, krimit të organizuar, trafikimit të drogës, korrupsionit dhe krimit kibernetik. Drejtoria e tij ka koordinuar gjithashtu mbështetjen e BE-së për bashkëpunimin në zbatimin e ligjit në nivel europian dhe ndërkombëtar, si dhe ka mbikëqyrur punën e tri agjencive: EUROPOL, CEPOL (trajnimi policor) dhe EMCCDA (Qendra Europiane e Monitorimit për Drogat dhe Varësinë nga Droga). Ai ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të këtyre tri agjencive.

Luigi Soreca ka pasur privilegjin të koordinojë, në Komisionin Juncker, përpjekjet e shërbimeve për përgatitjen, miratimin dhe zbatimin e Axhendës Europiane të Sigurisë në prill 2015. Gjatë ngjarjeve terroriste në periudhën 2015-2017 në BE, nga ky pozicion ai ka koordinuar politikën reaguese të BE-së ndaj sulmeve në drejtim të nismave të reja legjislative dhe të politikave, duke përfshirë përgatitjen dhe miratimin e Direktivave mbi Terrorizmin, Armët e Zjarrit dhe Pastrimin e Parave, Planin e Veprimit mbi Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët, si dhe krijimin e Qendrës së BE-së kundër Terrorizmit në EUROPOL.

Luigi Soreca ka mbikëqyrur punën e Rrjetit për Ndërgjegjësimin mbi Radikalizimin (RAN) dhe ka qenë Kryetar i Forumit të BE-së për Internetin, i përbërë nga kompanitë kryesore të mediave sociale dhe autoritetet e Shteteve Anëtare të BE-së të përfshira në luftën kundër propagandës së terrorizmit në rrjet. Në fushën e trafikimit të drogave, ai ka qenë gjithashtu përgjegjës për miratimin e Direktivës për Drogat e Reja Psikotike (NPS), Planin e Veprimit të BE-së për trafikimin e drogave për periudhën 2017-2020, si dhe finalizimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Shqipërinë lidhur me pjesëmarrjen e saj në Programin e Drejtësisë.

Luigi Soreca ka qenë përfaqësues i Komisionit në Grupin e Zyrtarëve të Lartë të G7 “Roma-Lyon” që merret me terrorizmin global dhe krimin e organizuar transnacional. Ai ka negociuar gjithashtu disa marrëveshje ndërkombëtare me vendet e treta në emër të BE-së, duke përfshirë me SHBA-në mbi PNR dhe TFTP.

Gjatë krizës së migracionit në verën e vitit 2016, ai u emërua si i Dërguar i Posaçëm i Komisionit në Itali për nisjen e procesit të zhvendosjes sipas Vendimit të Këshillit 2015/1523.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.