Fundjavë ndryshe jashtë qytetit, por jo larg Tiranës

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ – Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prej 3 vitesh synon që të kthejë zonat periferike të qytetit në destinacione turistike, kjo fundjavë do të vijë ndryshe për kryeqytetasit.

Një e shtunë ndryshe, jashtë qytetit, por jo larg Tiranës. Produktet tipike të zonës do të promovohen në Shëngjergj, ku shumë qytetarë mund të rigjejmë shijen e humbur të domates. Ndaj, planifikoni të vini me miq e familje dhe kështu edhe do të argëtoheni por edhe ndihmoni ekonominë lokale të zonës.

Por, si do të jetë festa dhe çfarë do të gjeni atje?

Ato që nuk do të mungojnë me patjetër do të jetë minitreg me produkte të zonës. Po kështu, do të inaugurohet pika më e re e infopointit.
Koncerti nga trupa e fëmijëve do të jetë argëtuese dhe emocionuese për shumë fëmijë, por edhe prindër.

Vizitë te rrënojat e shkollës së parë shqipe të hapur në rrethin e Tiranës.
Për aventurierët do të ketë hedhje me parashuta. Ndër të tjera festa do të përfshijë: konkursin e pjatës më të mirë, vizitë te një baxho e vogël, vizitë në Mullirin e Vjetër, shfaqje për fëmijë Teatri i Kukullave, tour me biçikleta off-road, vizitë te Ujëvara e Përroit të Kecit, Barbeque, Banda, etj.

Agjencia e Rekreacionit dhe Parqeve ka bërë thirrje për të marrë pjesë në “Domate fest”, të shtunën në orën 09.00.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.