Forumi bizantin në Durrës monument historik i shekujve V-VI

TIRANË,18 shtator /ATSH/ – Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

DRRK Durrës po kujdeset për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese në Forumin bizantin të qytetit të Durrësit. Shesh – tregu i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik.

Ai zinte pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine. Sot përbënë një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.

Objekti arkeologjik Rotonda është një  objekt mjaft i vizitueshëm në qytetin e Durrësit që ka hyrë pothuajse në të gjitha guidat turistike.

Ky  forum i njohur si Forumi  Bizantin është një monument historik që daton rreth shekujve V-VI. Në qendër të saj ndodhet një pus si dhe një bazament prej disa shkallësh në formë rrethi. Ajo është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore mbetet një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.