Vokshi: Ministria e Arsimit shkeli ligjin për Arsimin Parauniversitar

TIRANË,17 shtator /ATSH – I. Vata/ – Ministria e Arsimit shkeli Ligjin për Arsimin Parauniversitar, pasi mbylli shkollat pa konsultim me komunitetin, u shpreh sot në një deklaratë për mediet, kryetarja e Komisionit të Edukimit, Albana Vokshi.

Në vijim, Vokshi shtoi se “sot është dita e parë e shkollës së vitit shkollor 2018-2019, janë me mijëra fëmijë në të gjithë vendin, por kryesisht në zonat rurale, të cilët nuk kanë mundësi që të shkojnë në një shkollë, pasi shkollat e tyre janë mbyllur”.

“Sot, nuk kemi as edhe një informacion nga Ministria e Arsimit për numrin e mbylljes së shkollave”, tha ajo.

Po ashtu, deputetja e PD-së pohon se Partia Demokratike konstaton se “janë rreth 9 shkolla në Lezhë, 10 shkolla në Bulqizë, 10 shkolla në Mat, 6 shkolla në Klos, 8 shkolla në Pogradec, 3 shkolla në Devoll, 18 shkolla në Elbasan, 18 shkolla në Gjirokastër, 8 shkolla në Tiranë, 3 shkolla në Berat, janë disa shkolla në Vlorë, është një shkollë në Shkodër, janë rreth 150 shkolla të mbyllura”, tha Vokshi.

“Mbyllja e shkollave është bërë në mënyrë antiligjore, pasi Ministria e Arsimit ka shkelur nenin 41 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar”, thekson Vokshi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.