Viti i ri shkollor në Vlorë, investime të rëndësishme infrastrukturore

TIRANË, 17 shtator/ATSH/- Kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli, i uroi një vit të mbarë shkollor për të gjithë fëmijët dhe mësuesit e kësaj bashkie.

Duke uruar mësuesit që të jenë në lartësinë që ju ofron detyra , sepse ne duart e tyre është e ardhmja e këtij vend, Leli theksoi se “në disa prej ambienteve ku mësuesit do të zhvillojnë aktivitetin e tyre bashkia e Vlorës me mbështetjen e qeverisë shqiptare ka arritur të realizojë investime të rëndësishme infrastrukturore”.

“Vetëm pak ditë me parë ne shkuam në shkollën “Halim Xhelo”, e cila është transformuar tërësisht në një ambient të ri, me kushte të standardeve ashtu si të gjithë duan të kenë për fëmijët e tyre. Kjo shkollë është një nga investimet më të rëndësishme”, nënvizoi Leli.

Nxënësit e shkollës “Ismail Qemali”, vijoi ai, në ditët e para të zgjedhjes sime si kryetar kishin dëshirë për një palestër të re.

“Tashmë ëndrra e këtyre fëmijëve në qendër të Vlorës, në zemër të qytetit është realizuar. Ata kanë tashmë një palestër moderne të standardeve të larta, në të cilën do të zhvillojnë aktivitetin e tyre fizikë”, tha Leli.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, theksoi se “kjo palestër do të jetë në shërbim të komunitetit të zonës, kur mësimi do të ketë përfunduar. Në këtë territor ne kemi përgatitur kopshtin e ri të lagjes, i cili disa muaj më parë ishte në godinën e një privati duke paguar qera.

Bashkia e Vlorës vendosi që në këtë investim të ri të inkuadrojë dhe kopshtin e kësaj lagje”.

Duke folur për investimet e tjera që po bëhen në bashkinë Vlorë, Leli u shpreh se “investime të tjera janë bërë në kopshtin e Orikumit dhe në të gjithë infrastrukturën shkollore anembanë territorit të bashkisë Vlorë”.

“Një ndër investimet është edhe shkolla “Balil Pelari”, në Orikum, e cila ka filluar t’i nënshtrohet rikonstruksionit, në mënyrë që në muajt në vazhdim nxënësit të kenë edhe ata shkollë të standardeve”, tha Leli/k.s/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.