“Përgjigja ime”, Rama: Kthimi i librave, edukatë dhe përgjegjësi sociale

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E hënë, 17 Shtator 2018

TIRANË, 17 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Kthimi i librave në fund të vitit nuk është çështje lekësh, por është çështje edukate dhe përgjegjësie sociale”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Përmes rubrikës “Përgjigjja ime”, Kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjet sot shqetësimit të një prindi, për kthimin në fund të vitit të ri shkollor të librave, për t’i përfituar ato sërish falas.

Duke iu përgjigjur shtetasit Eduart Rama, i cili kishte komentuar në rrjetin social “Facebook”, duke shprehur indinjatën për këtë kusht, Rama tha se “kthimi i librave në fund të vitit nuk është çështje lekësh, por shumë më shumë se kaq”.

“E kam lexuar edhe nga të tjerët këtu shprehjen e pakënaqësisë ndaj kushtit që librat duhet të kthehen në fund të vitit. Njëri thotë kjo na streson fëmijët, tjetri kjo është tallje, një tjetër e quan hajni dhe të tjerët kush të gjejë fjalën më pikante për të protestuar ndaj këtij kushti”, tha Rama.

Librat falas nga klasa e I në IV këtë vit, dhe deri tek e V vitin tjetër, ndërsa uroj deri tek klasa e IX pas dy vitesh, sipas Kryeministrit Rama, janë fryt i reformave që kemi bërë dhe i jo pak vështirësive që kemi kapërcyer, duke arritur të krijojmë mundësitë e para të reja për njerëzit e këtij vendi.

“Janë si të thuash, një nga kthimet e investimeve të prindërve në këtë vend në 5 vitet e vështira që kemi kaluar, si dhe një investim i ri, i duhuri i yni për gjeneratën tjetër”, shtoi Rama.

Kthimi i librave në fund të vitit, sipas tij “nuk është për të ndihmuar shtetin, por për të edukuar fëmijët tanë”. “Nuk e kemi shpikur ne këtë kusht, por e kemi mësuar nga shtete shumë më të fortë se ne. Suedia për shembull, shteti padiskutim më i fuqishëm social në Europë që i jep librat falas me detyrimin e kthimit në fund të vitit”, tha Rama.

Buxheti i Suedisë, sipas tij, nuk e ndjen asgjëkundi shumën e nevojshme për librat falas, por kjo s’është thjesht çështje buxheti, është çështje edukate dhe përgjegjësie sociale.

“Libri është miku ynë më i mirë dhe fëmija mund ta mësojë këtë në shumë rrugë e mënyra. Kjo është njëra prej tyre. Libri nuk është as për t’u ngrënë, as për t’u grisur dhe as për t’u zhgarravitur, por për t’u ruajtur e për t’u ndarë me të tjerët. Libri është dashuri dhe meriton respekt dhe kujdes, aq më tepër në një kohë si kjo e jona, ku shumëkush e ka harruar librin, por po harron edhe të shkruajë gjuhën e të respektojë fjalët”, tha Rama.

Sipas tij, “fëmijët nuk stresohen nga nevoja për të mirëmbajtur librin, përkundrazi”. “As nuk ndjehen keq nga ideja që libri është për t’u ndarë me të tjerët dhe as nuk është keq të mësohen që në këtë botë, të marrësh do të thotë të japësh”, theksoi Kryeministri.

Shkolla jonë, vijoi ai, po rilind mes shumë vështirësish e pengesash dhe gjithnjë e më shumë nxënës të mirë në Shqipërinë e sotme janë gati të shkëlqejnë, ashtu siç shkëlqejnë kudo që shkojnë në botë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.