GREQI – “Rubicon” merr përsipër sulmin ndaj ambasadës së Iranit në Athinë

ATHINË, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Dhjetëra anëtarë të grupit anarkist grek “Rubicon” thyen mëngjesin e sotëm xhamat e kabinës së portierit që ndodhet përpara ambasadës së Iranit në Athinë dhe kanë hedhur bojë të kuqe brenda godinës, sipas një burimi të policisë.

‘’Sulmi u mor përsipër nga grupi  ‘’Rubicon”, tha për median një drejtues i policisë, duke theksuar se për momentin nuk kishte ende asnjë të arrestuar.

Ngjarja u shënua rreth orës 03:00 GMT, sipas së njëjtit burim. Dhjetëra persona me shufra hekuri kanë kapur në befasi rojen e ambasadës, që ndodhet në një lagje të pasur të kryeqytetit dhe, pasi kanë thyer xhamat e vendqëndrimit të rojes, hodhën bojë në ambientet e brendshme të godinës së ambasadës.

Asnjë person nuk është plagosur.

Në një tekst të publikuar në internet ‘’Rubicon’’ njoftoi se ky veprim synonte për të shprehur solidaritetin e grupit me kurdët e Iranit.

Mjaft aktiv vitet e fundit në Greqi, ‘’Rubicon’’ ka marrë përsipër veprime të shumta të kryera kryesisht nga grupe të përbëra nga 10 apo 20 persona, kundër ndërtesave publike, të kompanive, bankave dhe ambasadave duke shkaktuar dëme, por jo të plagosur./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.