“Air Albania”, çmimet e biletave do të jenë shumë të arsyeshme

TIRANË, 17 shtator /ATSH – A. Fortuzi/ – “Themelimi dhe ngritja e kompanisë “Air Albania” është një vizion i Kryeministrit Edi Rama dhe është një kompani që përmes hyrjes në treg do të ndikojë dhe do të ketë çmime të arsyeshme të biletave”, – tha drejtoresha e përgjithshme e Albcontrol, Belinda Balluku nga studio e ERTV-së, ku foli për risitë që sjell “Air Albania”.

Duke u ndalur te çmimet e kripura që kanë biletat e fluturimeve në vendin tonë, Balluku theksoi se kompania “Air Albania” do të ketë çmime mjaft të mira për udhëtarët.

“Pikërisht çmimet e larta të disa kompanive ajrore që abuzonin, u bënë shtysa fillestare për lindjen e projektit “Air Albania. Ky ka qenë një projekt i lindur nga vizioni i Kryeministrit dhe na është dhënë neve për ta elaboruar. Zanafilla ka nisur nga çmimet e larta të biletave, nga abuzimet që operatorët e tjerë bëjnë në tregun tonë, sepse ka abuzime. Kjo ka qenë një nga arsyet pse është menduar ngritja e “Air Albania” dhe padyshim, çmimet do të jenë shumë të arsyeshme”, – deklaroi Balluku. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.