Ambasadori bullgar: Mbështetje integrimit europian të Shqipërisë

TIRANË, 15 Shtator/ATSH/- Bullgaria, duke njohur vlerat historike e kulturore, si dhe zhvillimin e dukshëm ekonomik që ka pësuar Shqipëria, do të ndihmonte që shumë shpejt edhe ajo të ishte pjesë e familjes europiane.

Kështu u shpreh ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, Momtchil Stoyanov Raytchevski gjatë një vizite në Berat, ku u prit nga dy nënkryetarët e bashkisë Çlirim Brisku dhe Afize Skëndo.

Ambasadori bullgar u shpreh se duke qenë se ishte historian, i njihte mirë vlerat historike e kulturore të këtij qyteti, prandaj do të dëshironte t’i forconte edhe më tej këto marrëdhënie duke iu dhënë atyre një impuls të ri në çdo fushe; arsimit, kulturës, turizmit, ekonomisë etj.

Më konkretisht në fushën e arsimit, qeveria bullgare ofronte bursa të plota në Universitetin e Sofjes për komunitetin bullgar që jeton në Shqipëri, por edhe për cilindo tjetër që plotëson disa nga kriteret e kërkuara.

Nënkryetari Brisku bëri një prezantim të shkurtër të Beratit, të trashëgimisë së tij kulturore dhe historike, si dhe të resurseve që ai ofronte për vizitorët vendës dhe të huaj.

Ai gjithashtu theksoi marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit që Bashkia e Beratit ka pasur me disa nga qytetet bullgare, sidomos me Bashkinë Llovech, me të cilën qyteti i Beratit është binjakëzuar./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.