Prefektja Jahollari: Siguri dhe kushte dinjitoze në shkolla për nxënësit e kryeqytetit

TIRANË, 14 shtator/ATSH/- Fillimi i vitit të ri akademik mblodhi bashkë institucionet qendrore në nivel vendor të qarkut Tiranë për të bashkërenduar punën sa i përket planit të masave për fillimin e vitit të ri arsimor 2018-2019.

Tryeza e organizuar nga Prefektja e Qarkut Tiranë, Suzana Jahollari, kishte në thelb pasqyrimin e planit të masave që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor, gjendjen infrastrukturore të shkollave, policinë e shtetit, Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës si edhe atë Qarkut të Tiranës, OSHEE dhe Ujësjellësin, Drejtorinë e Higjienës, etj.

Në çelje të takimit, Jahollari theksoi se, në të gjitha bashkitë e Qarkut të Tiranës, janë hapur institucione të reja arsimore, apo janë përmirësuar ndjeshëm kushtet e tyre falë vullnetit, dëshirës dhe vizionit të kryetarëve të Bashkive për t’i ofruar fëmijëve dhe nxënësve kushte sa më dinjitoze arsimi dhe edukimi.

Jahollari renditi disa nga problematikat më shqetësuese që ka arsimi sot në qarkun e Tiranës problematika të cilat nga viti në vit po sfumohen dhe po marrin zgjidhje.

“Një nga problematikat e shumta që hasen gjatë vitit shkollor është mungesa e ujit dhe furnizimit me energji elektrike, sidomos gjatë muajve të ftohtë të dimrit, që janë kushtet minimale që duhen garantuar për mbarëvajtjen e orarit mësimor, veçanërisht në shkollat ku zhvillohet mësim edhe në orët e pasdites. Do të kërkoja garancinë e plotë të institucioneve përgjegjëse për të parë me prioritet këto problematika”, – tha Jahollari.

Jo më pak vëmendje u duhet kushtuar edhe kushteve të sigurisë në ambientet parashkollore dhe shkollore, pasi nisur edhe nga incidentet e ndodhura një vit më parë pranë këtyre ambienteve duhet të rrisim akoma më shumë vëmendjen tonë për minimizimin dhe pse jo eliminimin e fenomeneve që mund të cënojnë sigurinë.

Në këtë kuadër, Prefektja kërkoi nga policia që të jetë e pranishme e të mobilizohet sidomos në orët e para mëngjesit për mbarëvajtjen e drejtuesve të automjeteve dhe shmangien e çdo rasti që do të vinte në rrezik jetën e qytetarëve.

Në përfundim të fjalës së Prefektes Jahollari, diskutuan nënkryetarët e bashkive të Qarkut Tiranë, të cilët paraqitën punën e suksesshme të bërë nga çdo institucion që përfaqësojnë si dhe garantuan bashkëpunimi i vazhdueshëm me të gjitha institucionet arsimore.

Më pas Ariola Byzyka, Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale për Tiranën, garantoi se institucioni që ajo drejton ka marrë të gjitha masat për sezonin e ri arsimor duke shtuar se bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse është në nivelet më të larta.

Zv/Drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, parashtroi planin e masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit të ri arsimor.

“Drejtoria e Policisë Rrugore ka identifikuar zonat më problematike për qarkullimin rrugor, që përkojnë dhe me shkollat dhe për këto zona do të ketë një menaxhim më specifik për të mënjanuar trafikun e rënduar në orën e hyrjes dhe daljes së nxënësve nga shkolla”, -tha Ziu./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.