Mësuesit, komunikim të drejtpërdrejtë virtual me ministren

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu referua rastit të mësueses nga Patosi si një rast i veçantë i një grupi mësuesish nga Shqipëria, që pavarësisht se janë në Patos apo Malësi të madhe, nuk jetojnë në Shqipëri intelektualisht, por përmes programit të binjakëzimit, jetojnë në një komunitet europian dijesh.

“Nga njëra anë, të bëjmë çmos ta zgjerojmë grupin dhe të mësojmë prej tyre për të zgjeruar grupin, që sa më shumë mësues e mësuese të jetojnë intelektualisht në botën e dijes europiane”, tha Kryeministri. Ai theksoi se po mendohet të krijohet një rrjet virtual i të gjithë mësuesve të Shqipërisë, të cilët për çdo problem apo mangësi që kanë në punën e tyre, të komunikojnë drejtpërdrejt me ministren. Po ashtu, Kryeministri vuri në dukje se hamendëson shpesh se çfarë mendojnë mësuesit, mjekët, policët kur dëgjojnë “se sa të zeza bëj unë përditë”.

Për këtë arsye, tha ai, nuk është i mjaftueshëm përgënjeshtrimi dhe as besimi se njerëzit dinë të gjykojnë e të ndajnë shpifjen nga e vërteta. Por, tha Rama, duhet që mësuesit të informohen në komunitetin e tyre se “ç’bën kjo ministre që merr sigurimet shoqërore të mësuesve”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.