“Mësues për Shqipërinë” solli standardin e ri të meritokracisë

TIRANË, 14 shtator/ATSH/- Ermenita Çuka, mësuese e gjuhës angleze në Korçë, përcolli sot një mesazh shprese për të gjithë mësuesit që duan t’i bashkohen armatës së madhe të mësuesve dhe sipas saj, ky mesazh shprese është portali “Mësues për Shqipërinë”.

Gjatë takimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me mësuesit e portalit “Mësues për Shqipërinë”, në Tiranë, mësuesja Çuka theksoi se “duhet të keni besim dhe shpresë tek portali se ai solli një standard të ri, përmbysi standardin e vjetër që të gjithë e dimë dhe solli standardin e ri, atë të meritokracisë”.

Duke folur për eksperiencën e saj, Çuka tregoi se “pavarësisht rezultateve ekselente mu refuzua punësimi për vite të tëra nga drejtoria e atëhershme. Ishin vite të tëra përbuzje, fyerje dhe refuzimi. Ndërsa shihja që ai vend pune i ofrohej dikujt që nuk ishte diplomuar, në ato vite më dukej vetja një model i keq për fëmijët e mi”.

Çuka u shpreh se “duhet ta pranoj, që edhe unë isha mosbesuese në fillim për eksperiencën e mëparshme që kisha kaluar dhe kjo ishte arsyeja që nuk aplikova në portal në vitin 2013-2014, por në 2015”.

Mësuesja Çuka përsëri thotë se “duhet ta pranoja që e kisha gabim, pasi portali ishte transparent dhe i paanshëm dhe këtë e besoj tek rezultati i menjëhershëm dhe punësimi i menjëhershëm në bazë të rezultateve”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.