“100 fshatrat”, Shkreli: Ta nisim nga elementët e thjeshtë infrastrukturorë

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Arkitekti Artan Shkreli i pranishëm në takimin e organizuar për projektin e “100 Fshatrave” përshëndeti vendosjen e përparësive për hedhjen e bazës infrastrukturore në zonat rurale, përpara ndërtimit të tyre në qendra të pritjes së turistëve. Ai theksoi se në përgjithësi vëmendja e planifikuesve në Shqipëri ka qenë shumë e ulët ndaj problemeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe terma të tillë si, “një qytet fillon gjithnjë nga infrastruktura”, janë dukur abstrakte në thelb.

“Në këtë kuptim është parë gjithmonë, nëse bëjmë një krahasim me trupin e njeriut, është parë bukuria, madhësia apo volumi i trupit, mënyra se si administrohet pamja e jashtme, ndërkohë që nuk duket pjesa tjetër që është qarkullimi i gjakut apo sistemi i gjakut që e bëjnë të funksionojë këtë organizëm në mënyrë perfekte ose joperfekte. Në këtë aspekt, unë do të sugjeroja pak më shumë vëmendje nga planifikuesit përqendrimin në disa elemente që kanë të bëjnë me infrastrukturën në vetvete, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale dhe jo në detajet teknike”, – tha Shkreli.

“Një nga problematikat që kanë fshatrat qoftë edhe për arsye të përhapjes që është karakteristike e fshatit shqiptar, që vjen nga historia apo karakteri shqiptar, përhapja në territor në mënyrë jo homogjene. Në këtë kontekst bëhet mjaft e vështirë edhe trajtimi i ujerave të zeza që në pjesën më të madhe trajtohen me gropa septike në fshatra.  Ujërat e zeza hidhen në përroin më të afërt apo lumin më të afërt, ky është një problem serioz”, nënvizoi Shkreli.

Sipas tij, në momentin që një fshat ne vendosim ta rikualifikojmë deri në atë masë sa të presë prurje turistike, njerëz që vijnë nga zona shumë të urbanizuara dhe kanë kërkesa higjienike të larta, çështja kthehet nga një problematikë e rëndomtë në një çështje akute. “Është më e lehtë të ndërhyjmë që në fillim, sesa të ndërhyjmë në një ambient të ndërtuar, ku çdo gjë ka kosto më të lartë nga burimet njerëzore e financiare”, – theksoi ai.

Duke sjellë shembullin e Budapestit, ku një impiant i përpunimit të ujërave të zeza mund të mbetej përgjysmë për shkak se Europa pas vitit 2020 nuk financon më asnjë aktivitet që çliron CO2, ai tha se ky vjen si shembull për të treguar se sa rëndësi kanë zgjedhjet që bëhen që në fillim.

“Planifikimi nga elementët e thjeshtë infrastrukturorë, uji, energjia, trajtimi i mbetjeve është bazë shumë e mirë për të zhvilluar mbi to projektet, që këto utopi të mos kthehen në distopi”, – përfundoi Shkreli.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.