Siguria në vend, Rama: Shifrat dëshmojnë ulje të kriminalitetit, PD s’mund të flasë

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ – Shifrat dëshmojnë se kriminaliteti ka rënë jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në qytete të tjera të vendit, shifra këto krahasuar me periudhën kur qeveriste PD. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Open” me Eni Vasilin.

“Sa i përket Shkodrës, shifrat tregojnë se numri i vrasjeve është ulur, krahasuar me periudhën kur në qeverisje ishte PD. 61 persona janë vrarë nga viti 2010 deri në 2013-ën në këtë qytet, ndërsa nga 2014-ta deri në 2017-ën janë vrarë 34 persona”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.

Rama shtoi se 4 vrasje në një kohë të shkurtër nuk janë një lajm i mirë, por sipas tij, PD nuk ka gojë të flasë.
“Katër vrasje në një kohë të shkurtër, nuk janë një lajm i mirë, por kjo nuk diskutohet që ne kemi pritshmëri më mirë se kaq. Unë po them se këta nuk kanë gojë të flasin”, – u shpreh Kryeministri./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.