“Rruga e Kombit” – Kryetari i këshillit bashkiak Kukës: Tarifa e përballueshme

TIRANË,13 shtator /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i këshilli bashkiak të Kukësit, Gjelbrim Shehu deklaroi sot se tarifa prej 100 lekësh në “Rrugën e Kombit” është e pranueshme dhe e përballueshme për banorët dhe nuk do të jetë në rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme të këshillit bashkiak, pasi konsiderohet çështje e  mbyllur.

Kryetari i këshilli bashkiak të Kukësit, Shehu tha në një deklaratë për mediet se “në cilësinë e Kryetarit të bashkisë Kukës, bëj me dije opinionin se mbledhja e ditës së sotme nuk u zhvillua për mungesë kuorumi”.

Në lidhje me tarifën për “Rrugën e Kombit”, Shehu sqaroi se “në lidhje me pikën e fundit të rendit të ditës që ka të bëjë me tarifën për “Rrugën e Kombit”, kjo çështje quhet e mbyllur dhe nuk do të jetë pjesë e rendit të ditës së mbledhjes së këshillit bashkiak Kukës pas reflektimit nga qeveria shqiptare dhe e koncesionarit për tarifën prej 100 lekësh e caktuar për banorët e qarkut Kukës, e cila është e pranueshme dhe e përballueshme nga të gjithë”.

“Theksoj se erdhëm në këtë zgjidhje pas negociatave me qeverinë, koncesionarin dhe grupet e interesit”, – tha Shehu. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.