Rama: Shqipëria ka detyrim të mbështesë fuqimisht Kosovën, duhet strategji kombëtare

TIRANË, 13 shtator /ATSH – I. Vata/ – Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe detyrimin të ndjekë me vëmendje situatën, duke theksuar nevojën e një strategjie kombëtare.

Dua ta filloj me një çështje tjetër: Korrigjimi i kufijve. Pse keni zgjedhur të heshtni? Rama tha se “besoj që bëhet fjalë për një çështje të historisë sonë të përbashkët, por ku i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojnë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarët që duhet të flas dhe të bëj komentatorin, ku nga njëra anë në Kosovë ka një debat për një ide dhe jo për një platformë, se një platformë s’e kemi parë dhe nga ana tjetër, si përfaqësues i Shqipërisë ndiej si detyrë të respektoj Kosovën”.

“Unë isha i qartë kur thashë se kam folur, e do të flas sa herë ta shikoj të arsyeshme për Kosovën, por jo në emër të Kosovës dhe në një moment kur po diskutohet një çështje shumë më komplekse është shumë më e rëndësishme se një çështje e ditës, ku politikanë shqiptarë gjejnë arsye për t’ju kundërvënë njëri-tjetrit, është e paudhë për mua të bëj komentatorin. Na duhet shumë më tepër sesa një debat i radhës, me kundërshti të radhës, që lidhen me shumë aspekte të personales në klubin e politikës shqiptare, na duhet një ekip kombëtar, në kuptimin e qasjes. Duhet të jemi të vetëdijshëm se kush do të kontribuojë në këtë çështje, por mbi të gjitha, ka detyrimin që të përfaqësojë dhe mishërojë vullnetin për të qenë një zë i unifikuar, jo një klub ku dëgjojmë akuza, ku flitet për ‘patriotë’ dhe ‘tradhëtarë’”, – tha Kryeministri.

I pyetur për një qëndrim të Kryeministrit të Shqipërisë për Kosovën, Rama tha se “ky që sapo thashë, është një qëndrim i qartë, Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në detyrimin për të mbështetur fuqimisht Kosovën ka ndër të tjera, detyrën të presë dhe të ndjekë me shumë vëmendje se çfarë vetë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës mendojnë dhe për çfarë ata janë në gjendje të bien dakord. Ne nuk mund të bëjmë tutorin e Kosovës dhe për më tepër është një çështje ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar për shumë vite që vijnë. Mund të gabohet shumë lehtë dhe mund të bëhen gabime me pasoja për shumë vite që vijnë”.

I pyetur për çështjen e shkëmbimit të territoreve, Rama tha se çfarë do të thotë korrigjimi i kufijve, do të thotë se është shumë pak për të formuar një program strategjik kombëtar. Është shumë pak, është krejt e pa mjaftueshme. Mund të jetë një ide për të nisur një dialog të brendshëm mes aktorëve edhe me ne, nëse duhemi, por nuk mund të jetë kurrsesi një platformë kombëtare për t’u ndarë me një turravrap që na ka bërë qesharakë në historinë tonë, na ka bërë shumë herë që t’i faturojmë të ardhmes gabime të rënda të papjekurisë sonë në “tradhtarë” dhe “patriotë”.

“Kjo e imja nuk është as indiferencë, as të qenit dakord me këtë ide, kjo ka të bëjë me vetëdijen se çështja është shumë e rëndë, ka një peshë të jashtëzakonshme dhe qasja duhet të jetë e jashtëzakonshme, jo një qasje banale me aktorë politikë që kërkojnë të nxjerrin përfitimet e ditës. Mendoj se në këtë proces të gjithë ata që kanë eksperiencë, një peshë përfaqësimi, duhet të kontribuojnë dhe të ngrihen mbi dasitë e përditshmërisë. Këto që dëgjojmë janë kakofoni që na nxjerrin në një dritë jo të lavdërueshme, si botë e politikës shqiptare”, – shtoi Kryeministri.

I pyetur nëse ka zhvilluar biseda për çëshjen e Kosovës me Presidentin Thaçi, Rama tha se kam folur me një pjesë të madhe të atyre që kanë dashur të flasin për këtë çështje si në Kosovë, qoshin partnerët gjermanë, apo amerikanë. Unë kam ndjesinë e fortë se ne jemi para një shansi historik dhe duhet ta lexojmë me shumë vëmendje. Të hysh sot në debatin publik korrigjim – moskorrigjim, është thjesht dhe vetëm mungesë pjekurie, flas për ata që kanë një peshë në jetën politike. Ky është një moment marrje e një përgjegjësie që është shumë e rëndë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.