Kuvendi rrëzon dekretin e Presidentit për tatimin mbi të ardhurat

TIRANË, 13 Shtator /ATSH/ – Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për tatimin mbi të ardhurat, ndërsa ka miratuar ligjin për dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit.

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” është rrëzuar me 74 vota pro dhe asnjë kundër.

Po ashtu Kuvendi miratoi Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

Gjithashtu sot u miratua edhe procesverbali i seancës plenare të datës 6.9.2018.

Ndërsa mbarten për seancën e radhës projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si edhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.