Agjencia Telegrafike Shqiptare

Java e filmit dhe muzikës austriake dhe shqiptare për artdashësit kryeqytetas

TIRANË,13 shtator /ATSH/ – Festivali i filmit dhe muzikës vjen në kuadër të Vitit Kulturor Austri – Shqipëri 2018 dhe do të zhvillohet çdo mbrëmje nga data 13 deri në 20 shtator 2018 në Pazarin e Ri në Tiranë.

Programi artistik i festivalit të filmit vjen si një kombinim i koncerteve live, filmave muzikore austriakë dhe shqiptarë, deri tek disa materiale variete dhe komedi. Risi do të jenë dhe një seri dokumentarësh të shkurtër si Tinguj të Zjarrtë e Ardian Murraj, Poeti 15 vjecar nga Halil Kamberi, Vallëzimi i shqipeve nga Endri Keko dhe “Në festivalin e 11-të të Këngës” nga Donika Muci, të cilat janë materiale shumë pak të njohura për publikun.

Një element tjetër interesant i këtij festivali do të jetë gastronomia. Festivali në thelb do të jetë kulturor dhe i standardit të lartë kulinar duke përqafuar konceptin “Street food gourmet”. Pjesëmarrësit do të mund të shijojnë një darkë gourmet, një pasdite pushimi në një ambjent interesant dhe stimulues, shoqëruar nga një aktivitet kulturor, pamor dhe muzikor. Çdo ditë do të jetë një festë e madhe gastronomike me një gamë të gjerë shijesh ndërkombëtare.

Ambasada Austriake në Tiranë dhe Bashkia e Tiranës janë iniciatorët e këtij Festivali i cili mbështetet nga Raiffeisen Bank, Sigma Interalbanian, Llotaria Kombëtare, Vodafone, AQShF, QKK, TID, Pazariiri, organizohet nga EDS Foundation dhe Moving Culture.

Festivali i filmit si format merr shkas nga Festivali i Filmit Muzikor në Vjenë i cili zhvillohet prej vitit 1991 në Sheshin Wiener Rathausplatz të kryeqytetit Austriak. Festivali i Vjenës ka kapërcyer kufijtë e Austrisë për t’u vënë në jetë në Budapest, Bukuresht, Nju-Jork, Tokio, Jekaterinburg dhe tashmë formati i tij propozohet dhe në Tiranë.

Misioni i këtij festivali kulturor filmi, muzikë dhe kulinarie është të sigurojë një qasje të gjerë në artet pamore, interpretuese, duke angazhuar kështu një publik masiv dhe krijuar kohezion social. Festivali synon që pjesëmarrësit të përfshijnë njëkohësisht të gjithë shqisat për të përftuar kështu një eksperiencë të paharrueshme. Aktivitetet do të ofrohen falas në një mjedis unik, të hapur dhe të lirë, siç është Pazari i Ri./a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version