Hyrja e automjeteve mbi 7.5 tonë në port, falas nëse zbatohet regjimi i hyrje-daljeve

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – Për hyrje-daljen e mjeteve të transportit mbi 7.5 tonë, shoqëritë e transportit nuk kanë asnjë detyrim tarifor ndaj APD-së.

Këto shoqëri duhet t’i drejtohen Forcës së Sigurisë Portuale (FSPD) me një kërkesë për leje-hyrje, në të cilën duhet specifikuar lista e automjeteve, së bashku me detajet e targës dhe emrat e drejtuesve të mjeteve.

Lista duhet të jetë e shoqëruar nga Kontrata mes Shoqërisë së Transportit dhe Operatorit që kërkon këtë shërbim dhe ku detajohen të dhënat e shërbimit dhe afatet e kësaj kontrate.

Autoriteti Portual Durrës (APD) sqaron se tarifa prej 250 lekë i paguhet APD-së nga Operatori që kërkon shërbimin nga Shoqëritë e Transportit.

Drejtoria e Përgjithshme Ekzekutive e APD ka informuar sot kështu Shoqatën e Transportit “Analtir” dhe të gjitha Shoqëritë e Transportit, kamionët e të cilave hyjnë në territorin portual për motive pune.

Sipas Drejtorisë së Ekonomisë, Financës dhe Administrimit në APD, “Tarifat të cilat aplikohen për mjetet e transportit mbi 7.5 tonë (për evadim malli deri 25 tonë) që kërkojnë të hyjnë në territorin e Autoritetit Portual Durrës janë si më poshtë:

  1. Automjete mbi 7.5 tonë ………….                                250 lekë
  2. Leje hyrje automjeti e përkohëshme ……….                 200 lekë

Sipas Udhëzimit “Mbi regjimin e hyrje-daljeve dhe kontrollin e qarkullimit në territorin e Autoritetit Portual Durrës” Neni 11, në mënyrë të përmbledhur, shprehet qartazi se si duhet të operohet për të vijuar normalisht me evadimin e mallit nga shoqëritë e transportit-vijon përgjigja e Drejtorisë së Ekonomisë, Financës dhe Administrimit në APD.

Po ashtu e njëjta Drejtori, sqaron se njëlloj edhe kamionët që punojnë për Shoqëritë e eksport-importit dhe që shfrytëzojnë tragetet e linjave nuk ka nevojë të pajisen me Leje-hyrje në port. Mjafton të paraqesin në hyrjet e territorit portual biletën e udhëtimit personale dhe të kamionit (ose njoftimin pranë FSPD-së të prenotimeve nga Agjencitë e lundrimit).

“Duhet paraqitur një kërkesë për lejim hyrje në Port, e cila duhet t’i drejtohet Forcës së Sigurisë së Autoritetit Portual Durrës, në të cilën duhet specifikuar lista e mjeteve së bashku me detajimin e targës dhe të shoferit. Kjo listë duhet të shoqërohet me kontratën mes shoqërisë së transportit dhe operatorit që kërkon këtë shërbim ku të specifikohen të dhënat e shërbimit dhe afatet e kësaj kontrate”.

Kohët e fundit disa shoqëri transporti kanë paraqitur vetëm kërkesën me listë pa Kontratat respektive me operatorët që kërkojnë këtë shërbim-shkruan APD për të gjithë të interesuarit.

Në zbatim të udhëzimit të sipërpërmendur, Forca e Sigurisë së Autoritetit Portual, nuk i lejonte të hynin brenda territorit të Autoritetit Portual Durrës për “Mangësi Dokumentacioni”.

Hyrja mund të kryhej vetëm duke paguar tarifën për leje-hyrje automjeti prej 200 lekë të reja pa tvsh. /e.malaj/ /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.