FOTO/ Punime mirëmbajtëse në kishën e Shën Mërisë, Krorëz

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – Pas ankesave të banorëve të fshatit Nivicë për problematikën e ngritur mbi rritjen e vegjetacionit në ambientet e jashtme të kishës së Shën Mërisë, Krorëz, monument i cili është shumë i vështirë për t’u aksesuar, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Vlorë, kreu ndërhyrje mirëmbajtëse dhe pastrime nga vegjetacioni pranë këtij monumenti.

Ky aksion për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës do të vazhdojë, për t’i kthyer këto vende në atraksione të denja turistike.

”Jo vetëm Kishat e Nivicës, por edhe të Lukovës, të Himarës dhe së shpejti edhe ato në Lumin e Vlorës do të marrin vëmendjen e duhur nga instancat shtetërore. Koordinimi i bashkisë Himarë, Njësive Administrative të Lukovës dhe Hore Vranishtit me Ministrinë e Kulturës dhe DRKK Vlorë, janë në fokus të një pune mjaft të madhe që na pret”, – shprehet kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë, Krorëz është ndërtuar në një breg shkëmbor, në një pozitë natyrore të mbrojtur dhe njëkohësisht piktoreske, prej nga shtrihet një pamje e gjerë e peizazhit bregdetar.

Nga ndërtimet e vjetra të manastirit kanë arritur deri në ditët e sotme kisha, kulla dhe një ndërtesë me çardak. Kisha është e tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 7.90×4.40 m. Ambienti i altarit ndahet nga një ikonostas prej muri guri, me tri hapësira hyrjeje. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.