Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vonesat e fluturimeve, Komisioni i Integrimit kërkon informacion nga Aviacioni Civil

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Komisioni i Integrimit Europian do t’i kërkojë Autoritetit të Aviacionit Civil një informacion të plotë për masat e marra, lidhur me vonesat dhe anulimet e fluturimeve që lidhin Italinë me Shqipërinë.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, anëtar i këtij komisioni, tha se në mbledhjen e sotme u ngritën shqetësimet për mosrespektimin e të drejtave të pasagjerëve.

“Me vëmendjen tek njerëzit, ngritëm sot në Komisionin e Integrimit Europian gjatë diskutimit të projektligjit “Për Kodin Ajror” shqetësimin e shumë pasagjerëve, kryesisht emigrantë shqiptarë në Itali, por edhe turistë italianë, lidhur me vonesat, anulimet e fluturimeve që lidhin Italinë me Shqipërinë gjatë muajve të sezonit të lartë qershor-gusht dhe dhjetor-janar”, – u shpreh Balla.

Shqetësimet, sipas tij, lidhen me mosrespektimin e të drejtave të pasagjerëve të cilat duhet të trajtohen në përputhje me nenet 138 dhe 140 të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, Balla tha se “duhet të respektohen të drejtat konform Urdhërit të Ministrit “Për kompensimin dhe asistencën e pasagjerëve në rastin e mospranimit në bord të avionit dhe anulimit, ose vonesës gjatë fluturimeve”, transpozim ky i Rregullores Europiane Nr. 261/2004, për rregullat e përbashkëta për kompensimin dhe ndihmën për pasagjerët, në rast anomalish në operim prej shoqërive ajrore. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version