Mosbraktisja e shkollës, 47 mijë fëmijë të familjeve në nevojë përfitojnë nga bonusi

TIRANË, 12 Shtator/ATSH/- “Mbi 47 mijë fëmijë të familjeve në nevojë përfitojnë pagesë të posaçme për ndjekjen e arsimit të detyrueshëm”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë shpërndarjes së librave falas për fëmijët e komunitetit rom, pranë banesave sociale në Lanabregas, në Tiranë.

“Investimi më i rëndësishëm është ai në arsim, ndaj në kuadër të reformave të qeverisë, familjet në nevojë përfitojnë bonus për çdo fëmijë, për mosbraktisjen e shkollës”, theksoi Manastirliu.

Vetëm për vitin 2018 fondi i vënë në dispozicion për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, për fëmijët që nuk braktisin shkollën është 171 milionë lekë.

Gjatë shpërndarjes së librave dhe mjeteve shkollore falas për fëmijët e komunitetit rom që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, Manastirliu theksoi rëndësinë e vendimit të qeverisë për libra falas nga klasa e parë në të katërtën për çdo fëmijë, si dhe për të gjitha klasat e arsimit të detyrueshëm për fëmijët e familjeve në nevojë.

“Reformat e qeverisë që garantuan libra falas për 190 mijë fëmijë, ku përfshihen edhe fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian, padyshim që do t’i afrojnë më shumë këta fëmijë drejt arsimimit, si mënyra më e mirë për t’u integruar në shoqëri”, tha Manastirliu./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.