Tabaku: KE i dha PD-së fitoren e parë, rrëzoi ligjin për Teatrin

TIRANË, 10 shtator /ATSH – I. Vata/ – Komisioni Europian ka rrëzuar zyrtarisht ligjin për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, deklaroi sot deputetja e PD-së Jorida Tabaku, në një deklaratë në selinë e Partisë Demokratike.

Në vijim, Tabaku shton se KE ka rrëzuar një ligj korruptiv dhe klientelist.

“Qeveria e mbajti të fshehtë letrën e Komisionit Europian me qëllim manipulimin e opinionit publik, por përgjigja e Brukselit është e qartë; qeveria ka shkelur ligjin. Përgjigjja e Komisionit Europian, qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore. Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurrencës. Patëm të drejtë kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe një klient special, kompaninë “Fusha”. Prandaj dhe qeveri shpiku “ligjin Fusha” për të grabitur tokën e Teatrit Kombëtar dhe dhuruar atë një kompanie me qëllim ndërtimin e kullave”, – tha Tabaku.

Po ashtu, Tabaku shprehet se përgjigjja nga Komisioni Europian erdhi si rezultat i këmbënguljes së opozitës dhe aty thuhet qartë, se qeveria dhe bashkia kanë shkelur procedurat e prokurimit të hapur.

Po sikurse dhe letra e artikulon qartë, tha Tabaku, duke vijuar se “Komisioni Europian nuk është një institucion gjykues për saktësinë e ligjit në fjalë në raport me kushtetutën e vendit. Përgjegjëse për këtë është Gjykata Kushtetuese e cila sot mbahet e bllokuar nga mazhoranca për të prodhuar ligje si “ligji Fusha””.

“PD, zotohet se do të luftojë për të rrëzuar ligjin. Përgjigja e KE i dha opozitës dhe shqiptarëve, fitoren e parë”, – thekson Tabaku. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.