Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hapet segmenti i rehabilituar Vorë – Ish-Fabrika e Tullave

TIRANË, 10 shtator /ATSH/- Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Afrim Qendro inspektoi gjatë ditës së sotme përfundimin e punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor që lidh Vorën me ish-Fabrikën e Tullave dhe doganën e Tiranës. Rruga me gjatësi 1.2 kilometra konsiderohej një ndër më problematiket, për shkak të gjendjes së degraduar dhe fluksit në rritje të mjeteve që e përshkonin.

“Jemi në Vorë dhe duam të bëjmë me dije që projekti prej 1.2 km për rehabilitimin e plotë dhe të thellë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm që lidh gjithë transportin e mjeteve të rënda me Doganën e Tiranës ka përfunduar 10 ditë para afatit. Kemi të bëjmë me një rehabilitim të thellë në të gjithë paketën e shtresave asfaltike, në kanalet kulluese dhe sinjalistikën horizontale e vertikale. Është një model i mirë i rehabilitimit të thellë dhe projektit të suksesshëm që kemi së bashku me Bankën Botërore”, u shpreh drejtori i ARRSH-së Qendro.

I pranishëm në inspektim ishte dhe deputeti Sadi Vorpsi, i cili tha se përmes investimit ka marrë zgjidhje dhe një kërkesë e kahershme e bashkisë së Vorës për rrjetin e ujësjellësit.

“Ky segment prej 1.2 km siç e shikoni dhe vet është bërë konform të gjitha standardeve. Është plotësuar edhe një kërkesë e Bashkisë Vorë për të ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit pasi gjatë kësaj ndërhyrjeje u punua në 560 metra linerare duke përmirësuar njëkohësisht dhe furnizimin me ujë të gjithë banorëve të bashkisë Vorë”, theksoi Vorpsi.

Në segmentin Vorë – ish-Fabrika e Tullave janë realizuar punime të thella rehabilituese, të cilat përfshijnë punime të plota të nënshtresave rrugore me një thellësi deri 80-90 cm; punime të shtresave asfaltike; punime të sistemit të kullimit të ujërave të shirave; ndërtimi i tombinove dhe punime të sigurisë rrugore që kanë të bëjnë me sinjalistikën horizontale dhe vertikale në të gjithë gjatësinë.

Vlera e investimit të kryer për rehabilitimin e këtij aksi rrugor arrin në rreth 616 mijë euro dhe punimet për të nisën gjatë muajit korrik. /e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version