Kërkoi rryshfet, SHÇBA arreston punonjësin e Policisë Gjyqësore, Gramsh

TIRANË, 7 shtator/ATSH – A.Fortuzi/ – Pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), arrestoi punonjësin e policisë Agron Zeka, me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Gramsh.

Arrestimi u bë për shkak se dyshohet se i ka kërkuar dhe i ka marrë një qytetari, 50 mijë lekë, duke ushtruar presion se nëse nuk paguante do ta arrestonte. Ngjarja në fjalë, sipas denoncimit të qytetarit, ka ndodhur në ambientet e komisariatit. Shtetasi ka deklaruar se pas presionit për arrestim, ai ka pranuar të paguajë shumën.

Pas verifikimeve të videos së publikuar, oficeri i Policisë Gjyqësore, Agron Zeka është vënë nën arrest nga SHÇBA dhe ndaj tij është ngritur akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

SHÇBA falenderon median për bashkëpunimin dhe garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim në media apo nga qytetarë dhe i nxit ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.