Rritja e pagës reale, një tjetër sfidë e qeverisë në vitet në vijim

Qeveria paketë të mirëfilltë ndihme për çiftet e reja, me qëllim që të kthejë në kah të kundërt uljen demografike

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj duke folur sot për aktin normativ në seancën parlamentare, tha se rritja e pagës reale është një tjetër sfidë e qeverisë në vitet në vijim.

Ahmetaj theksoi se në katër vite u punësuan 240-250 mijë persona dhe bilanci i përgjithshëm i pagesave nё vitin 2017 shënoi rritje, duke arritur vlerën +185.4
milionë euro, nga +48 milionë euro që ishte në vitin 2016.

Por, tha ai, ne synojmë përmirësimin e mëtejshëm të këtyre treguesve.

Sipas tij, në këtë drejtim qeveria do të nisë një reformë të thellë ku të gjithë punëkërkuesit e papunë dhe ata që marrin ndihmë ekonomike, do t’i nënshtrohen rikualifikimit.

Ministri i Financave foli edhe për pritshmëritë për rritjen ekonomike, investimet e huaja si dhe paketën e solidaritetit prej rreth 3.3 miliardë lekësh e cila siguron shpërblimin e fundvitit për pensionistët në vlerën e 5 mijë lekëve.

Ndërsa theksoi se, ashtu si shumë shtete të tjera, qeveria shqiptare po mendon për një paketë të mirëfilltë ndihme për çiftet e reja, me qëllim që të kthejë në kah të kundërt uljen demografike. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.