Kosovë, stabilizohet furnizimi me barna në QKUK

PRISHTINE, 6 shtator /ATSH/ -Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin se si rezultat i angazhimeve konkrete, ngritjes së përgjegjësisë në menaxhimin e parasë publike dhe vendosjen e rregullit në sektorin farmaceutik, në institucionet publike shëndetësore ka një përmirësim të vazhdueshëm të furnizimeve me barna dhe material shpenzues.

Të dhënat e fundit nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës tregojnë se furnizimi me barna në këtë shërbim është mbi 70%. Gjithashtu, ka një përmirësim edhe në furnizimin me material shpenzues dhe citostatikë, të cilët së fundi po blihen nga MSH me çmime ekstremisht më të ulëta se sa në të kaluarën.

Procesi i përmirësimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me barna është duke vazhduar dhe këtë e siguron edhe lidhja e shumë kontratave të reja nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për nevoja të institucioneve publike shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë, krahas sigurimit të furnizimeve të reja me çmime të volitshme dhe ndërprerjes së dukurive abuzive me buxhetin e dedikuar për barna dhe material shpenzuese, ka filluar edhe procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale, me qëllim që pacientëve t’u mundësohet në terapitë e reja dhe cilësore dhe në përputhje me praktikat më të mira farmaceutike.

MSH premton se do të vazhdojë ta ketë prioritet ngritjen e nivelit të furnizimit, krahas rritjes së performancës në menaxhimin e sektorit farmaceutik, në mënyrë që pacientëve t’iu sigurohet terapi e sigurt dhe njëherësh të kursehet paraja publike. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.