Kënde të reja sportive në të gjitha shkollat e vendit

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ – “Ne duam shumë që edhe në funksion të shkollës – qendër komunitare – të ndërtojmë kanale bashkëpunimi për projekte si bibilioteka, kënde sportive, aktivitet kulturore dhe sportive”.

Kështu theksoi sot Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Elbasan me mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta.

“Më bëri përshtypje një gjë, këndi sportiv është akoma siç ishte, nuk duhet të jetë më kështu, jo vetëm ky kënd, por edhe shumë kënde sportive në shkolla të tjera”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “në platformën e bashkëqeverisjes është rubrika “Shkolla ime”, e cila i dedikohet specifikisht mësuesit, nxënësit dhe prindërve, qoftë për t’u ankuar, kemi patur raste ankesash, qoftë për të propozuar projekte”.

“Jam i bindur që nëse bëhen bashkë disa mësues, nxënës e prindër. Jam i bindur që shkolla ka prindër që dinë të bëjnë një projekt për një kënd sportiv, dhe projekti mund të kthehet në një projekt ynë i përbashkët dhe ta gjejmë mundësinë që këtë kënd sportiv, ta sjellim në kohën e teksteve, se të studiosh me tekste të Oxford-it e të kesh këto kosha basketbolli, janë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën”, – nënvizoi Rama.

Duke iu përgjigjur simpatizantëve të Partisë Demokratike, të cilët po protestonin pranë shkollës ku Kryeministri po zhvillonte takimin, Rama tha se “këto kosha janë për ata që bërtasin tek rruga, nuk janë për ne. Ata mund të lozin basketboll me këto kosha, jo ne, jo fëmijët që u themi se i keni tekstet të Oxford-it”.

“Pavarësisht se ata nuk lozin dot basketboll, se nuk njohin topin, por gurin, kjo është tjetër gjë dhe sport për të gjuajtur me gurë nuk ka, ose ka, por e dini ju ku zhvillohet”, – tha Rama. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.