BERLIN – Seehofer: Migracioni shkaku i të gjitha problemeve politike në Gjermani

BERLIN, 6 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, një politikan konservator dhe kundërshtar i politikës së dyerve të hapura të kancelares Angela Merkel për refugjatët, e ka konsideruar migracionin si “shkaku i të gjitha problemeve politike” me të cilat përballet sot Gjermania.

Në një intervistë për gazetën gjermane Rheinische Post”, Seehofer u shpreh se migracioni ishte faktori i parë përgjegjës për forcimin e partisë së djathtë “Alternativa për Gjermaninë”, shkaktari i përçarjes së vendit dhe mungesës së mbështetjes popullore për partitë kryesore politike.

“Çështja e emigracionit është shkaku i të gjitha problemeve në këtë vend. E them këtë prej tre vjetësh”, deklaroi Seehofer.

Kancelarja Merkel e kundërshtoi këtë deklaratë, duke u shprehur në një prononcim për televizionin privat “RTL” se migracioni “na vë përballë sfidash dhe kjo natyrisht përfshin edhe probleme”.

Seehofer, njëkohësisht lideri konservator i CSU-së, homologia bavareze e CDU-së së kancelares Merkel, gati sa nuk çoi në rrëzimin e qeverisë gjermane disa muaj më parë, duke paralajmëruar se do të fillonte t’i kthente mbrapsht refugjatët në kufi.

Seehofer komentoi gjithashtu edhe dhunën e mbështetësve të së djathtës në qytetin lindor të Chemnitzit, pas vrasjes së një qytetari gjerman nga dy azilantë.

Sipas medias vendase, Seehofer u shpreh se vrasja nuk i justifikonte trazirat dhe se mban qëndrim për “zero tolerancë” ndaj dhunës./ /u.sh/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.