Nis rindërtimi i banesës së familjes Zhupani, në Shijak

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/245198162805846/

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ “Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”… Me këtë citat në Nënë Terezës në ditën e Shenjtërimit të saj, Kryeministri Edi Rama sjell një video të shpresës që mori familja Zhupani, në Shijak, së cilës do t’i rindërtohet nga e para banesa e rrënuar.

“Mirëmëngjes dhe në këtë ditë të bekuar të Nënë Terezës, e para fjalë që kujtoj prej saj është fjala që më ndihmon shpesh, në të përpjetat e të tatëpjetat e rrugës sime, “Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën””, shkruan Kryeministri Rama.

Pas vizitës së Kryeministrit Rama në banesën e rrënuar të familjes Zhupani në Shijak, anëtarët e kësaj familje u strehuan provizorisht në një mjedis tjetër, deri në rindërtimin e banesës së tyre.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shoqëroi familjen Zhupani në ambientet e reja të banimit, ndërsa shpërndau edhe pako me mjete shkollore për fëmijët e kësaj familje.

“Kjo është shtëpia juaj provizore, pasi punimet në shtëpinë tuaj kanë filluar, ashtu siç ju tha edhe Kryeministri”, tha ajo.

Banesa thuajse e rrënuar e familjes Zhupani në Shijak do të rindërtohet nga e para në kohë rekord. Kështu premtoi Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi në fund të muajit gusht, familjen e Hysen Zhupanit në Shijak, ku pa nga afër kushtet e vështira në të cilat jeton kjo familje me 5 anëtarë.

Shtëpia e Hysen Zhupanit në Shijak, një godinë e rrënuar e ndërtuar 60 vjet më parë, nuk plotësonte as kushtet më minimale për jetesë. Kryeministri premtoi rindërtimin e saj para stinës së dimrit. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.