Shahini: Librat që dëmtohen nuk do të ripërdoren

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ – Të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën do t’i kenë librat falas para datës 17 shtator, kur fillon edhe viti i ri shkollor 2018-2019.

Në një intervistë televizive, zëvendësministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, tha se “do të marrin librat falas edhe nxënësit që i përkasin kategorive të ndryshme sociale, që nuk kanë një prind apo janë fëmijë me nevoja të veçanta”.

Duke folur mbi pretendimet e opozitës se librat nuk janë falas, por duhet të kthehen në fund të vitit, Shahini sqaroi se “kthimi i librave është praktikë në të gjitha shtetet, ku librat jepen falas, si Finlanda dhe Norvegjia e nuk është një shpikje shqiptare. Kjo është një praktikë që siguron më pak shpenzime nga buxheti i shtetit duke garantuar njëkohësisht që familjet të kursejnë shpenzimet për librat”.

“Në rast se librat dëmtohen apo vjetërohen librat nuk do t’i jepen në përdorim një nxënësi tjetër, duke garantuar që çdo brez të ketë në dorë libra cilësorë”, tha Shahini.

Shahini sqaroi edhe pretendimet e opozitës se në rast dëmtimi, do të gjobiten prindërit duke pohuar se nuk ka ende një vendim përfundimtar mbi formën e masës që do të merret për dëmtimin e librave, pasi ky është viti i parë i implementimit të nismës.

“Nuk e di se si opozita arrin në këto ekzagjerime. Janë dy të tretat e klasave nga 1 në të 9 që do mbulohen me libra falas. Për ndëshkimet e mundshme në rast se libri dëmtohet nuk është vendosur ende, sepse jemi në vitin e parë të implementimit dhe të procesit të identifikimit të formave të ndryshme se si mund t’i kthejmë në përdorim”, nënvizoi Shahini, duke shtuar se ky është vit pilotues dhe udhëzimi që del së shpejti do t’i përcaktojë të gjitha format e mundshme për ta implementuar pjesën e kthimit.

Sipas saj, kthimi në fund të vitit ka efekt pozitiv në ripërdorim dhe është praktikë që implementohet kudo në botë.

“Në këtë formë kursehet buxheti i shtetit, por edhe për nxënësit është mirë të kenë idenë se do ta kthejnë për gjeneratat e tjera”, tha zv.ministrja e Arsimit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.