TIRANË, 4 shtator/ATSH/ – Deri ditën e fundit para fillimit të shkollës është e rëndësishme të mos ketë vonesa dhe probleme në shpërndarjen e teksteve shkollore.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në familjen Karaj, në kryeqytet, ku shoqërohej edhe nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, për t’i dhënë Greisit dhe Reit librat e vitit të ri shkollor.
“Ne thamë të vinim edhe për të promovuar më tutje këtë projekt, sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë prindërit ta dinë, por është e rëndësishme e të bëhet e qartë për të gjithë shkollat, drejtuesit dhe mësuesit të realizohet shpërndarja e librave deri në ditën e fundit para fillimit të shkollës që të mos ketë vonesa dhe probleme”.
Duke i këshilluar fëmijët që t’i ruajnë librat, Kryeministri Rama tha se “librat duhet t’i ruani mirë se në fund të vitit do t’i dorëzoni prapë, që të mos detyrohet mami e babi të paguajnë për të marrë librat e rinj. Në mënyrë që ju të vazhdoni të merrni librat e të tjerëve dhe të tjerët që vijnë pas jush të marrin librat tuaj. Librat ruhen me dashuri e kujdes, nuk zhgarraviten, nuk prishen, nuk dëmtohen, mbahen afër, se librat janë ushqimi më i mirë që të rriteni e të bëheni të fortë”.
Për sa i përket zëvendësimit të teksteve të vjetra me ato të reja, Rama u shpreh se “vitin tjetër mbyllet edhe zëvendësimi i teksteve të vjetra me të reja nga klasa e 1-12, sepse janë zëvendësuar me një sistem që bën të të mundur që të kishte vazhdimësi. Këta janë libra të Oxford, Cambridge, Pearson”.
Sipas tij, edhe nisma e ndryshimit të orëve ka qenë shumë lehtësuese.
Kreu i qeverisë foli edhe për projektin e shkollës së drejtorëve. Është ndryshuar goxha sistemi i pranimit të mësuesve, është shumë efikas, por kemi problem me drejtorët e shkollave. Kjo shkollë do të ndihmojë për të rritur aftësitë menaxheriale”, tha Kryeministri.
“Hoqëm rreth 300 drejtorë shkollash që i zëvendësuam me mësuesit më të mirë sipas testimeve të bëra, por prapë tjetër është të jesh mësues, apo drejtor”, tha Rama.
Ndërsa lidhur me nismën e moslejimit të telefonave celularë në shkolla, Rama theksoi se “ne e kemi diskutuar këtë qysh në fillim, por kishim dhe ne ato dyshimet tona për zbatueshmërinë”. “Franca po e bën, Italia po e bën. Do të jetë e vështirë, por do të jetë shumë e prerë dhe e fortë. Do të bëjmë që çdo celular që do kapet do asgjësohet dhe sekuestrohet. Nuk mund të hyjnë mësuesit me celular në klasë, ta lenë në vendin e caktuar dhe pastaj ta marrin, është e pakonceptueshme”, shtoi Kryeministri.
“Nëse mua do më thoshte shkolla t’i heqim celularin Zahos, që nuk është bërë ende për shkollë, do të isha njeriu më i kënaqur sot”, tha Rama.
Ndërsa ministrja Nikolla u shpreh se “mbështetja jonë do të vazhdojë. Ky është momenti i parë për të ofruar një histori te re në edukimin dhe formimin e fëmijëve”.
“Në të gjithë këtë proces ne duam syrin kritik të prindërve”, tha ajo.
/k.s/j.p/
