Bulqizë, konsultë publike për funksionimin e “Rrugës së Arbrit”

TIRANË, 4 shtator /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Bulqizë ka nisur konsultat publike me fokus “Funksionimi dhe ndërtimi i “Rrugës së Arbrit””.

Në një njoftim zyrtar, bashkia Bulqizë shprehet se në kuadër të projektit për “Rrugën e Arbrit”, Agjencia Kombëtare Mjedisore dhe bashkia e Bulqizës bëjnë me dije se do të organizojnë konsultim publik me objekt: “Funksionimi dhe ndërtimi i “Rrugës së Arbrit””.

Bashkisë Bulqizë fton të gjithë qytetarët e interesuar që jetojnë brenda juridiksionit të bashkisë, që të marrin pjesë në këtë konsultim me përfaqësues të qeverisjes lokale, qeverisjes qendrore, dhe të kompanisë koncesionare.

“Ky konsultim publik do të mbahet ditën e mërkurë, pranë bashkisë Bulqizë”, thuhet në njoftimin e bashkisë së Bulqizës.

17 qershori shënoi nisjen zyrtare të punimeve për “Rrugën e Arbrit”. Projekti i premtuar për dibranët nga të gjitha qeveritë mori udhë këtë vit nga qeveria Rama.

Ky investim infrastrukturor që kap vlerën e 240 milionë eurove parashikon shkurtimin e distancës nga Tirana në Dibër nga 180 në 69 km. Nga Bulqiza në kryeqytet rruga do të përshkohet për vetëm 40 minuta dhe nga Burreli për një orë. Projekti parashikon ndërtimin e disa urave dhe tuneleve si dhe përfshin degëzimin e Maqellarës dhe Klosit.

“Rruga e Arbrit” pritet t’i japë një zhvillim ekonomisë dhe turizmit malor të kësaj zone, duke sjellë lehtësi në lëvizje edhe për banorët e Dibrës së Madhe, por tashmë ka hyrë në një proces tjetër, atë të konsultave publike, siç njofton bashkia Bulqizë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.