Viti i ri shkollor, nis shpërndarja e librave falas në qarkun e Dibrës

TIRANË, 3 Shtator/ATSH/ – Në të gjitha shkollat e qarkut të Dibrës ka filluar shpërndarja e librave për fillimin e vitit të ri shkollor.

Prefekti i qarkut të Dibrës, Nexhmedin Shehu, në një prononcim për ATSH-në tha se “e veçanta e këtij viti është shpërndarja falas për ciklin fillor dhe gati 70 % e nxënësve të arsimit 9 vjeçar dhe parauniversitar fitojnë po falas nga skemat e tjera, si fëmijët jetimë,  etj”.

Sipas tij, deri në datat 13-14 shtator në të gjithë ciklin shkollor do të përfundojë shpërndarja e librave.

“Gjatë ditës së sotme bashkë me drejtorin e Zyrës Arsimore të Burrelit bëmë shpërndarjen e librave në shkollën 9 vjeçare “Mustafa Gjestila”, Mat, ku nxënësit të shoqëruar nga prindërit morën librat shkollorë”, tha Shehu.

Që nga ky vit shkollor, të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 5 do të kenë libra falas për të lehtësuar familjet në të gjithë vendin./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.