SHKUP – Zaev: Maqedonia mbështet një zgjidhje pozitive për Kosovën

KUMANOVË, 3 shtator /ATSH-AA/ – Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev deklaroi dje gjatë një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se vendi i tij mbështeste një zgjidhje pozitive për Kosovën.

“Maqedonia mbështet një zgjidhje pozitive për Kosovën, një zgjidhje që do të çojë përpara mirëqenien e serbëve, shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Një zgjidhje që do të garantojë sigurinë, paqen dhe prosperitetin edhe të Serbisë edhe të Kosovës. Me rëndësi është që të gjithë liderët në rajon të jenë të bashkuar për qëllimet e përbashkëta”, deklaroi Zaev.

Ndërkohë, presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se “zgjidhja e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarve më shumë se gjithçka kontribuon për stabilitetin dhe për ruajtjen e paqes në rajon”.

Presidenti Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë paralajmëruan zbatimin e projektit për menaxhim të përbashkët kufitar “One Stop Shop”.

Ai theksoi se Serbia dhe Kosova duhet të lihen të veprojnë për të ardhmen e tyre dhe të zgjidhin marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, për të cilat tha se janë probleme tashmë që prej 200 vitesh.

“Unë besoj se zgjidhja e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve më shumë se gjithçka kontribuon për stabilitetin në rajon, kontribuon më shumë se gjithçka për ruajtjen e paqes në rajon”, deklaroi presidenti Vuçiç.

Në lidhje me marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe për referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni nëse do të apelojë tek komuniteti serb të marrë pjesë ose jo, presidenti serb tha se nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të vendeve të tjera./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.