Rama: Zëvendësuam librat skarco me tekste të Oxford e Cambridge

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Qeveria ka zëvendësuar librat skarco me libra të një cilësie të padiskutueshme të Oxford, Cambridge e Pearson, të cilët po ashtu shpërndahen falas.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot te cilësia e teksteve shkollore që ofrohen për nxënësit. “Deri dje ishte një stres i vërtetë jo vetëm nga pikëpamja financiare për familjet, marrja e librave të shkollës, por edhe e mallit skarco në të shumtën e herës. Mall nga ‘gabi’ i injorancës dhe korrupsionit. Mbi 1300 tekste nga të cilat 600 janë refuzuar nga mësuesit me deformime e gabime”, tha Rama.

Sipas tij, “është e vërtetë që disa libra janë pak më të shtrenjtë se sa ishin, sepse janë produkte shumë më cilësore”.

Kryeministri kërkoi që librat falas të shpërndahen në kohën e duhur dhe çdo nxënës të ketë tekstet në duar në fillim të vitit shkollor.

“Më parë ka qenë një proces jo i lehtë sepse kompesoheshin e rimbursoheshin dhe nuk ishin direkt falas. Ishin pengesat që krijonte burokracia, ndërkohë që sot nuk ka asnjë lloj pengese. Pakot me libra tani duhet t’i shkojnë fëmijëve në dorë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe për këtë besoj që organizimi i bërë nga ministria është i duhuri. Mjafton që të gjithë të fokusohen te kryerja me sukses e këtij operacioni masiv”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.