Viti 2018 shënon rritjen më të madhe të numrit të turistëve të huaj

TIRANË, 1 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Ne mund të themi me plot gojën se, kemi pasur sezonin më të pastër, më të sigurt dhe me rritjen më të madhe të numrit të turistëve krahasuar me vitet e shkuara”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim në Radhimë, lidhur me ecurinë e sezonit turistik dhe objektivat në të ardhmen.

Duke bërë një bilanc të sezonit turistik 2018, Rama tha se, “pritshmëria është që deri në fund të vitit të shkojmë në thuajse 6 milionë turistë, shifër e konsiderueshme dhe shprehje kuptimplotë e progresit që kemi bërë” .

“Kur themi sezoni më i pastër, nuk themi më i pastër krahasuar me askënd tjetër, përveçse me veten tonë. Por ne jemi të vetëdijshëm se nga shumë pis që kemi qenë tani jemi akoma pis. Nuk jemi në krahasimin nga pastër në shumë pastër. Ndaj nevojitet një angazhim më i madh për ta mbajtur pastër territorin”, tha Rama.

Ai vlerësoi po ashtu skuadrën që u ngrit për herë të parë në mënyrë të organizuar, të shpëtuesve të jetëve të njerëzve dhe atyre që i erdhën në ndihmë shumë njerëzve në këtë sezon si roje të plazheve.

“Respekt për shumë vepra të mëdha humane që ju keni bërë edhe duke rrezikuar në ndonjë rast veten tuaj, duke na ndihmuar të adresojmë një problem të trashëguar të shumë aksidenteve të evitueshme, pasi nëse dikush hyn në ujë dhe i bie infarkt nuk evitohet, por nëse ka nevojë për ndihmë dhe nuk e ka ndihmën kjo është e evitueshme”, tha Rama./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.