Manastirliu: Poliklinika e Vlorës së shpejti një qendër moderne mjekësore

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/262704207702989/

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ – Poliklinika e qytetit të Vlorës do të transformohet në një qendër moderne mjekësore, falë rikonstruksionit të plotë të saj që do të fillojë brenda 10 ditësh.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një inspektimi pasditen e së shtunës në spitalin dhe poliklinikën e Vlorës.

“Jam shumë e kënaqur të ndaj me ju lajmin se brenda 10 ditësh nis rehabilitimi i plotë i kësaj poliklinike në qendër të Vlorës, e cila kishte kaq shumë nevojë për ndërhyrje për të ofruar kushte më të mira pune për stafin mjekësor, por mbi të gjitha për të ofruar një standard të ri shërbimi për qytetarët”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “do të shtojmë ambientet pritëse për qytetarët në një sistem referimi unik dhe gjithashtu për ju mjekët, infermierët, do të ketë dhoma sipas standardeve për të ofruar shërbim më të mirë për qytetarët”, – theksoi Manastirliu.

Por, vijoi Ministrja, ajo që është më e nevojshme, shërbimi i specialiteteve të jetë sa më shumë në koordinim me qendrat shëndetësore nëpërmjet dy sistemeve, sistemi i referimit elektronik, i cili bën të gjithë referimin e e qytetarëve për të vendosur kohën, orën në mënyrë që të shmangen radhët.

Ministrja Manastirliu gjatë bisedës me ekipin mjekësor të urgjencës së Poliklinikës së Vlorës përgëzoi mjekët dhe infermierët për përballimin me sukses të sezonit turistik, gjatë të cilit morën shërbim 43 mijë pushues në qendrat shëndetësore verore.

Poliklinika e qytetit të Vlorës do të transformohet brenda vitit 2019 në një qendër moderne mjekësore jo vetëm sa i takon infrastrukturës, por edhe pajisjeve mjekësore. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.