Haradinaj: Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në Kosovë

PRISHTINË, 1 shtator/ATSH/- Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, zhvilloi takim me Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA-së, me të cilin bisedoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë, për zhvillimin ekonomik, për fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe për afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Haradinaj falënderoi Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Palmer për rolin dhe përkrahjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën.

“Kosova është me fat që në etapat më të rëndësishme të saj është ndihmuar dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkrahje kjo e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme në të gjitha fushat. Si institucione të Kosovës jemi të përkushtuara të thellojmë bashkëpunimin me SHBA-të”, tha Kryeministri Haradinaj, duke falënderuar shtetin amerikan për përkrahjen në përmbushjen e axhendës europiane.

Matthew Palmer vlerësoi arritjet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të SHBA-së për përparimin e axhendës integruese dhe zhvillimore të Kosovës.

Roli i SHBA-së, sipas Kryeministrit Haradinaj, vazhdon të mbetet i pazëvendësueshëm në proceset që po kalon shteti i Kosovës.

Haradinaj e njohu Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Palmer për progresin e Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurisë dhe progresin ekonomik si çështje kryesore në përafrimin e Kosovës me familjen euroatlantike.

“Roli i SHBA-së, si aleate strategjike e vendit tonë, është i domosdoshëm në proceset aktuale, në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht ato të sigurisë”, tha Haradinaj. /k.s//r.e

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.