Bashkitë, planifikim për pastrimin gjatë sezonit turistik

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët për turizmin se në aspektin e pastërtisë duhet punuar dhe të nxirren mësime nga ky sezon turistik.

Kryeministri u shpreh se kryetarët e bashkive, sidomos ata të zonave bregdetare, ku fluksi i turistëve gjatë verës është më i madh, duhet të gjejnë zgjidhje për pastrimin e qyteteve.

“Është vërtetë e patolerueshme që për gjëra të vogla të bëhemi gazi i botës. Në aspektin e pastërtisë ne do të punojmë me mësimet e nxjerra nga ky sezon, por do të dëshiroja që kryetarët e bashkive, sidomos në zonat bregdetare, ku ka shumë turistë dhe është e pamundur të përballohet gjithë ai fluks vetëm me buxhetin e bashkive që të gjejnë zgjidhje të tjera që të mos kemi mbeturina rrugëve gjatë sezonit turistik”, – tha Rama.

Ndërkohë, shtoi ai, “që kemi një problem të trashëguar me vetë njerëzit që i hedhin plehrat në rrugë kudo ku t’i dali. Por ne jemi të detyruar që ta zgjidhim këtë problem”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.