Rruga e re turistike drejt kishës së Skënderbeut në kepin e Rodonit

TIRANË, 30 gusht/ATSH/- Për të shkuar në kepin e Rodonit, thesarin natyror ende të pazbuluar mirë, tashmë kushton më pak kohë dhe mund, sepse rruga e re turistike prej 7,5 km është plotësisht e asfaltuar dhe në shërbim të turistëve vendas e të huaj.

Rruga e re që të çon deri në kepin e Rodonit, në afërsi të kalasë së “Skënderbeut”, lidh fshatrat Fushë Drac-Shetaj me Kepin e Rodonit.

Kjo rrugë që i vjen në ndihmë 5500 banorëve është një investim i qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si pjesë e projekteve për zonat me potencial të lartë në turizëm.

Pas ndërtimit të rrugës ka patur një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe gjallërimin e ekonomisë lokale.

Rruga e asfaltuar, por edhe bukuria e natyrës dhe monumentet e kulturës të japin mundësinë të jesh jo vetëm në objektet e rëndësishme fetare me një histori të gjatë shekullore, por dhe të shijosh bregdetin.

Kepi i Rodonit ka formën e një gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Aty ndodhet edhe Kalaja e Skënderbeut, e ndërtuar nga vetë Heroi ynë Kombëtar në vitin 1451-1452. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku. Si rezultat i veprimtarive gërryese të ujërave të detit një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e Adriatikut. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.