Haradinaj: Kosova po e fuqizon sundimin e ligjit

PRISHTINE, 30 gusht /ATSH/ -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion europian të përbërë nga Bert Koenders, ish-ministër i Jashtëm i Holandës, anëtarja e Parlamentit Europian, Kati Piri, ish-deputeti holandez Jan Marinus Wiersma dhe Danijela Tadiq nga Fondacioni Max van der Stoel.

Kryeministri Haradinaj, e ka njoftuar delegacionin holandez për progresin e Kosovës dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillimin ekonomik, agjendën evropiane të reformave, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, si dhe për hapat që janë ndërmarrë në plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave. Po ashtu, është biseduar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe rolin e Institucioneve të BE-së në këtë proces.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar delegacionin për mbështetjen e shtetit të Holandës në të gjitha periudhat, duke thënë se Kosova është e përkushtuar për thellim të bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet të dy vendeve. Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, për stabilitet rajonal dhe për këtë është pjesë e shumë iniciativave rajonale dhe më gjerë, duke dhënë kontributin e saj.

“Sa i përket zhvillimit ekonomik, Kosova ka krijuar shumë zona të lira ekonomike, ka të miratuar Ligjin për Investime Strategjike, të cilat i hapin rrugë investimeve të huaja dhe krijojnë lehtësira për investitorët potencialë”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tyre, delegacioni holandez ka vlerësuar progresin e Kosovës duke  shprehur gatishmërinë e tyre dhe të shtetit holandez për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.