Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK për gjyqtaren Antoneta Sevdari

TIRANË, 29 gusht/ATSH – I. Vata/ – Komisioneri Publik ka ushtruar ankimim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë.

“Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shprehet Komisioneri Publik.

Po ashtu, Komisioneri Publik duke u bazuar në ligj shprehet se “Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore”.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin më 18 korrik për prokuroren Sevdari, e cila sipas KPK-së, ka rezultuar e pastër në të tri shtyllat e vlerësimit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.