Haradinaj i dhuron “Hartën e Artë të Kosovës” ambasadorit Delawie

PRISHTINË, 29 gusht/ATSH/- Kryeministri Ramush Haradinaj i dhuroi sot “Hartën e Artë të Kosovës”, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.

“Gjatë takimit të rregullt me ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, në emër të qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, pata nderin t’i dhuroj sot “Hartën e Artë të Kosovës”, si simbol të vlerësimit tonë për punën e tij të madhe në mbështetje të axhendës sonë shtetërore dhe inkurajimin për të bërë më të mirën për të gjithë qytetarët tanë pa dallim”, theksoi Haradinaj.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Kosova po kalon nëpër procese të rëndësishme politike dhe ndihma e miqve amerikanë ishte dhe mbetet jetike për vendin tonë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj”.

Kryeministri Haradinaj e falënderoi ambasadorin Delawie për angazhimin dhe kontributin e tij të madh të dhënë gjatë shërbimit të tij në Kosovë, duke thënë se Kosova dhe populli i saj janë mirënjohëse për mbështetjen e SHBA-së në të gjitha fushat, duke e ndihmuar vendin në proceset e rëndësishme politike, ekonomike dhe të sigurisë.

“Në shumë fusha Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar Kosovën duke përfshirë shtetndërtimin, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, sistemin e drejtësisë, bujqësinë dhe për këtë u jemi mirënjohës popullit amerikan dhe SHBA-së”, tha ai.

Haradinaj u shpreh se “partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të thellohet, duke kërkuar mbështetjen e mëtejshme të shtetit mik për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”.

Ambasadori Delawie, falënderoi kryeministrin Haradinaj për bashkëpunimin, duke shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të vazhdojë edhe më tej mbështetjen për Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.