Monitorimi i specialistëve italianë, plazhet shqiptare të përshtatshme për breshkat detare

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Bregdeti shqiptar nuk është vetëm një pasuri për turizmin e detit dhe të rërës, por edhe një mundësi e shkëlqyer për shtimin e faunës së rrallë.

Monitorimi i foleve të breshkës Caretta-Caretta në bregdetin shqiptar solli në Shqipëri specialistë italianë të rezervës Oasi WWF Policoro, të cilët zhvilluan një trajnim me stafet e Agjencive të Zonave të Mbrojtura në Fier dhe Vlorë.

Trajnimi u fokusua në drejtim të monitorimit të vijës bregdetare për zbulimin e rasteve të folezimit të breshkave detare, trajtimi i një foleje deri në çeljen e vezëve dhe ndihma e parë që mund t’i jepet një breshke.

Me ndihmën e dronit, specialistët italianë monitoruan rreth 60 km vijë bregdetare ranore nga Shkumbini në Vlorë.

Në përfundim të monitorimit u arrit në konkluzionin, që plazhet shqiptare janë shumë të përshtatshme për folezimin e breshkave detare dhe se rasti i folesë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, nuk është një rast i izoluar.

Pranë saj, në një distancë prej 30 km, mund të jenë edhe 3-4 fole të tjera të ndërtuara nga e njëjta breshkë në harkun e pak ditëve.

Ky është një eveniment natyror unikal për vendin tonë, pasi vërtetohet se bregdeti ynë shërben edhe për shtimin e një prej llojeve më të vjetra të botës faunistike që ruhet në të gjithë botën.

Deri tani, një popullatë e rëndësishme e breshkës së detit është identifikuar se përdor ujërat e bregdetit të Shqipërisë për t’u ushqyer dhe dimëruar, ndërsa rastet e raportuara për folezimin e tyre kanë qenë shumë të pakta dhe jo zyrtare, deri në gjetjen e fundit në plazhin e Divjakës. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.