BRUKSEL – Oettinger: Bllokimi i negociatave për buxhetin e BE-së nuk është në interesin e askujt

BRUKSEL, 28 gusht /ATSH-AFP/ – Bllokimi i negociatave të ardhshme për buxhetin disavjeçar nuk është në interesin e asnjë shteti anëtar, u shpreh sot komisioneri evropian për Buxhetin, Günther Oettinger, pas presioneve të Italisë në sfondin e përballjes midis Romës dhe BE-së për migrantët.

‘’Ka një sërë arsyesh pse bllokimi nuk është në interesin e asnjë shteti anëtar’’, deklaroi Oettinger, i pyetur në lidhje me kërcënimet e shfaqura javën e kaluar nga Italia, ndërkohë që tonet janë rritur mes Romës dhe Brukselit për pritjen e migrantëve të shpëtuar në det.

Negociatat për kuadrin e ardhshëm disavjeçar të BE-së (CFP) të buxhetit të saj për periudhën 2021-2027 pritet të nisin në javët në vazhdim, pasi Komisioni paraqiti në maj propozimet e tij.

Nëse Europa vijon të na kthejë shpinën për imigracionin, Roma do të vërë veton për buxhetin e BE-së, kërcënoi javën e kaluar zëvendëskryeministri italian, Luigi Di Maio.

Komisioneri gjerman në një komunikatë për shtyp në prani të gazetarëve evropianë në Bruksel u shpreh se pa një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm, nuk ka fonde për 10 000 rojet kufitare të parashikuara në programin e Komisionit. Pasi ruajtja e kufijve të jashtëm është në interes të Italisë.

Komisioni synon arritjen e një marrëveshjeje midis të 27-ve dhe Parlamenti përpara zgjedhjeve evropiane të majit 2019.

‘’Jam optimist’’, përfundon Oettinger./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.